Site icon Telegrafi

Ajeti afër rikthimit

Afron kthimi në fushën e lojës i Arlind Ajetit.

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare, i cili mungon prej më shumë se një muaji nga fushat e lojës pas një dëmtimi të dyfishtë në pulpën e këmbës së djathtë, sot ka filluar më në fund vrapimet, etapa e dytë e procesit të riaftësimit.

Klubi i Torinos, nëpërmjet një komunikate për shtyp ka bërë të ditur situatën e të dëmtuarve në radhët e tij, duke saktësuar pikërisht kthimin e Ajetit në terrenin sportiv, pas rreth tre javësh të kaluara mes pushimit të plotë dhe terapisë për riaftësimin e dëmtimit muskulor.

Mbrojtësi ka zhvilluar vetëm vrapime të lehta në qendrën stërvitore të klubit, ndërsa edhe në ditët në vijim do të vazhdojë të stërvitet veçmas, derisa stafi mjekësor i skuadrës të sigurohet që atij nuk do t’i përsëritet dëmtimi i muajit gusht.

Sipas mediave italiane, stafi i Torinos parashikon që ai të jetë i gatshëm për të filluar stërvitjen e plotë me pjesën tjetër të grupit që në ditët e para të tetorit.

Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme që ai të përfshihet në planet e trajnerit De Biazi për ndeshjet e radhës të kuqezinjve, ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës, pasi është gjithsesi mbrapa me përgatitjen fizike në krahasim me lojtarët e tjerë për këtë pjesë të sezonit.

Exit mobile version