Telegrafi

“Air Biden”: Atletet ‘për stabilitet maksimal’ të Joe Biden bëhen lajm – nxisin reagime në mediat sociale

Presidenti amerikan Joe Biden është parë i veshur me atlete të “qëndrueshmërisë maksimale” që besohet se janë të dizajnuara për të parandaluar rrëzimin e atij që i mban.

Presidenti u pa së fundmi duke u larguar nga Marine One me atlete të dizajnuara nga marka e këpucëve Hoka, sipas një raporti të Inside Edition, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Këpucët “Hoka Transport” kanë një dizajn që është “pa dyshim i shkëlqyer për stabilitet”, thuhet në raport, duke shtuar se ato janë “të dizajnuara për rehati dhe mbështetje maksimale gjatë ecjes ose ngjitjes në terrene të vështira”.

Dhe zgjedhja e këtyre këpucëve nga Biden ka nxitur reagime në mediat sociale mes shqetësimeve të vazhdueshme për moshën dhe aftësinë e tij njohëse.

Një sondazh i fundit i ABC News/Ipsos zbuloi se 86 për qind e amerikanëve besojnë se ai është shumë i vjetër për një mandat tjetër.

Një përdorues i X tha me shaka se këpucët ishin: “Air Biden”.

“Fillova të vesh Hoka për shkak të një dëmtimi që më lëndoi këmbët. Në fakt janë këpucë shumë të mira…”, ka shkruar një tjetër.

Muajin e kaluar u zbulua se Biden vuan nga neuropatia periferike shqisore, e cila shkakton dëmtim nervor në këmbën e një personi. /Telegrafi/