Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion, e cila shënohet sot më 28 shtator 2024, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), si institucion përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, u bën thirrje institucioneve publike që të rrisin transparencën dhe llogaridhënien përmes publikimit proaktiv të informacioneve me vetiniciativë.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, Agjencia, me moton “Transparenca për të gjithë; Dokumentet Publike Janë Tuajat”, ka organizuar “Javën e Qasjes në Dokumente Publike”, gjatë së cilës, më datat 25, 26 dhe 27 shtator 2024, janë mbajtur tryeza diskutimi me pjesëmarrje të udhëheqësve të Institucioneve të pavarura, kryetarëve dhe përfaqësuesve të komunave, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, përfaqësuesve të Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës, Agjencive rregullatore dhe ekzekutive, mediave dhe shoqërisë civile.
Konkluzionet u përqendruan në forcimin e transparencës përmes veprimeve si në vijim:
Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdojë përpjekjet të shërbejë si organ promovues dhe ndërgjegjësues, për të siguruar promovimin e të drejtës për informim, e drejtë kjo e garantuar me ligj, Kushtetutë dhe e mbrojtur me konventa ndërkombëtare.
Derisa gjatë periudhës janar-gusht 2024, Agjencia ka regjistruar 500 ankesa në lidhje me mohimin e qasjes në dokumente publike, krahasuar me 552 ankesa gjatë tërë vitit 2023, kjo rritje e numrit të ankesave sinjalizon nevojën urgjente për përkushtim më të madh nga institucionet publike në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike, duke siguruar një proces më efikas dhe respektim të afateve ligjore për përgjigje.
Institucionet publike duhet të përmbushin obligimet e tyre ligjore duke kryer Testin e Dëmit dhe Interesit Publik, i cili vlerëson dëmin që do t’i shkaktohej interesit të mbrojtur përballë interesit publik, para se të vendosin për refuzimin e publikimit proaktiv të dokumenteve publike dhe para marrjes së vendimeve për refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.
Programi i Transparencës, i cili synon nxitjen e publikimit proaktiv dhe me vetiniciativë të dokumenteve nga institucionet publike, do të kontribuojë drejtpërdrejt në reduktimin e kërkesave burokratike për qasje në dokumente publike, duke forcuar llogaridhënien institucionale dhe promovuar një kulturë të qeverisjes së hapur dhe transparente. /Telegrafi/