AILand, ShefnoMore dhe Squadin janë tri projekte që u shpallen fitues të programit “Sfida Rajonale Elevator Lab 2019″ që u organizuan nga Raiffeisen Bank Shqipëri dhe Kosovë
15 bizneset fillestare (start up) pjesëmarrëse paraqitën prezantimet përpara jurisë, dhe fitues u zgjodh AILand, prezantuar nga Gentjan Zotaj, i cili shpjegoi që aplikacioni ndihmon klientët, përmes thjeshtimit të komunikimit me bankat duke i lënë klientët të flasin në mënyrën se si ata janë mësuar të financojnë nevojat e tyre. Ndërkohë vendi i dytë u shpall fituese Qëndresa Hoti, nga Kosova me projektin ShefNoMore, i cili konsiston në pagesat online, ku fokusi kryesor fillimisht janë baret dhe restorantet, ku përmes një bar kodi, që do të ngjitet në secilën tavolinë, i lidhur me lokalin përmes këtij aplikacioni do të bëhet pagesa e asaj që konsumon në restorant. Vendi i tretë u shpall Alban Afmeti me projektin Squadin, e cila është një platformë rekrutimi që organizon dhe automatizon procesin e rekrutimit për një kompani, ku çdo kompani mund të kufizojë gjithçka duke filluar nga njoftimet, testimet e aplikantëve, etj.
Për të dytin vit radhazi, Raiffeisen Bank ka organizuar këtë program, i cili hapi raundin e dytë të aplikimeve në datë 7 maj dhe përgjatë tre jave ju bëri thirrje të gjithë të interesuarve, start up-ve, etj., të aplikonin me idetë dhe zgjidhjet e tyre në 6 fushat e interesit dhe më gjerë. Gjatë kësaj periudhe u organizuan aktivitete të ndryshme prezantuese në Universitete të ndryshme në Tiranë si dhe përgjatë aktivitetit Startup Grind Tirana.
Të pranishëm në ngjarjen finale ishin dhe drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, Christian Canacaris dhe drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Kosovë, Robert Wright.
Në fjalën e tij përshëndetëse Canacaris tha se, “Elevator Lab është një program partneriteti fintech, i cili është më i madhi në Evropën Qendrore dhe Lindore, i cili zhvillon raundin e tretë që prej fillimit të tij në vitin 2017. Të angazhuar drejt inovacionit dhe për t’i shërbyer më mirë klientëve tanë, ne po e prezantojmë këtë program për të dytin vit, po kësaj here në të dy tregjet Shqipëri dhe Kosovë pas një raundi të parë shumë të suksesshëm gjatë vitit 2018. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për një partneritet të gjerë në grup, ku ne jemi shumë të kënaqur t’i japim komunitetit rajonale në këto dy vende. Raiffeisen Bank në Shqipëri është në transformim të vazhdueshëm digjital dhe ne gjithmonë do të mbështesim projektet teknologjike që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve tanë dhe performancën tonë si bankë”.
“Programi i Elevator Lab, i mundësuar nga Raiffeisen Bank, është programi më i madh i partneritetit të kompanive fintech në Evropën Qendrore dhe Lindore. Programi është në kërkim të zgjidhjeve inovatore të reja për të zhvilluar së bashku biznesin e nesërm bankar. Pasi të jetë përzgjedhur, komuniteti i start up-ve do të kenë mundësin e zhvillimit të biznesit të tyre këtu në nivel lokal me Raiffeisen Kosovë dhe Raiffeisen Shqipëri dhe potencialisht në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore ku vepron Raiffeisen. Nga sfida jonë e vitit të kaluar për Kosovën, ne kemi nisur partneritet të suksesshëm me fintech-un fitues AR Vision në RBKO”, shtoi Wright gjatë fjalimit të tij. /Telegrafi/