Telegrafi

AIDS mbyt fëmijët

Nga AIDS-i vitin e kaluar kanë vdekur rreth 290.000 fëmijë më të rinj se 15-vjeç, derisa 2.1 milionë fëmijë në botë janë të infektuar me virusin HIV, sipas hulumtimit të UNICEF-it, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Agjencisë së OKB-së për AIDS (UNAIDS).

Për shkak të AIDS-it vetëm në Afrikën subsahariane, pa prindër kanë mbetur mbi 12 milionë fëmijë, ndërsa në botë 15 milionë sish.

Vetëm 23 për qind e shtatzënave seropozitive (350.000 ) marrin antiretrovirus për të zvogëluar rrezikun nga infektimi i fëmijës, edhe pse numri i tyre nga viti 2005 në atë 2006 është rritur për 60 për qind.

Numri i fëmijëve seropozitiv të cilët marrin antiretroviruse në vendet në zhvillim është ngritur për 70 % në mes të viteve 2005 e 2006. (127.000 fëmijë për dallim nga 75.000 që ishin një vit më parë).

Shumica e 2.1 milionë fëmijëve më të rinj se 15 vjeç, të cilët në vitin 2007 kanë jetuar me HIV, janë infektuar para lindjes, gjatë shtatzënisë apo gjidhënies.

Të rinjtë prej 15 deri në 24 vjet bëjnë pjesë në 40 për qind të infektimeve të reja në mesin e personave më të vjetër se 15 vjet.

Dukshëm është përparuar shërimi i fëmijëve dhe parandalimi i bartjes së HIV-it nga nëna tek fëmija, ka thënë udhëheqësi i Agjencisë së OKB-së për AIDS (UNAIDS) Peter Piot. "Mirëpo ka edhe shumë punë, posaçërisht në parandalim e infektimit të të rinjve”, ka shtuar ai.

Edhe pse financimi ende është i mangët, megjithatë është ngritur paksa, thuhet në raportin e djeshëm, i cili pohon se gjatë vitit 2007 janë ndarë rreth 10 miliardë dollarë për luftën kundër AIDS-it, në krahasim me 6.1 miliardë sa ishin ndarë në vitin 2004.