Telegrafi

AIDS-i nga goja e nënës në atë të foshnjës

Nga Qendrat amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjes kanë njoftuar se, deri më tani, në SHBA janë evidentuar tri raste të këtij lloji, dy në Miami dhe një në Memphis. Fëmijët në mënyrën e përshkruar janë infektuar në periudhën kohore mes viteve 1993 deri më 2004. Në dy raste infektimin e kanë bartur nënat, e në rastin e tretë bëhet fjalë për personin, që është kujdesur për fëmijën.
Në shtetet në zhvillim nënat jo rrallë përtypin pjesën e ushqimit, para se ta vendosin atë në gojën e fëmijës së tyre, që t’ua lehtësojnë përtypjen, respektivisht gëlltitjen. Shpesh bëhet fjalë për gratë të cilat nuk kanë mundësi të blejnë ushqim të fëmijëve, apo nuk posedojnë mikser të kuzhinës. Besohet se në praktikë e tillë është shumë e rrallë në SHBA dhe në shtetet tjera të zhvilluara.

Shkencëtarët, të cilët rezultatet e hulumtimit i kanë paraqitur në takimin shkencor të mbajtur para pak kohe në Boston, kanë deklaruar se, që dihet edhe më herët, virus nuk ka në pështymë, mirëpo, nëse pështyma përzihet me gjak, e cila në pështymë depërton nga ndonjë organ, nga mishi i dhëmbit, dhëmbi apo diç të ngjashme, mund të vije deri tek infektimi.

Në tri rastet e përmendura është përcaktuar se, HIV-i nga gingiva e personit të rritur në organizmin e fëmijës ka depërtuar nëpërmes së qarës në buzë, apo nga mukoza, apo edhe nëpërmes ndonjë procesi inflamator në traktin e tretjes.

“Bëhet fjalë për një mënyrë të re të bartjes së virusit HIV dhe supozojmë se deri tek një bartje e tillë të kësaj sëmundje do të mund të vinte në shtetet që janë në zhvillim”, ka thënë doktori Ken Dominguez, i cili së bashku me kolegët e tij e kanë kryer këtë hulumtim.

Në tri rastet e sipërpërmendura dy bartësit e sëmundjes kanë vdekur nga AIDS-i, derisa fëmijët e infektuar marrin terapinë përkatëse.