Ish futbollisti i njohur rumun, Dumitru Dragomir, që kishte karrierë edhe në politikë dhe ishte drejtues i Federatës së Futbollit të Rumanisë është i impresionuar nga lojtari i sjellë nga FC Ballkani, Ermal Krasniqi.
Krasniqi përkundër dështimit të Cluj ndaj FCSB me rezultatin 1-0, ai ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Dan Petrescut.
Për formën e tij ka folur Dumitru Dragomir, i cili ishte i impresionuar nga ylli i ri i CFR Cluj.
“Krasniqi vlen 3-4 milionë euro. Ndoshta edhe 5. Ai e godet topin fort me të majtën dhe me të djathtën godet mirë, është i qëndrueshëm në lojë. Nuk shkakton ndërprerje (faull) pa nevojë”, ka thënë Dragomir.
Për të tretën ndeshje radhazi, Ermal Krasniqi zëvendësoi yllin e skuadrës Ciprian Deac, i cili e nisi sërish në bankinë.
Krasniqi pas paraqitjeve të mira me Ballkanin, kaloi te Cluj në afatin kalimtar dimëror. /Telegrafi/