Shkencëtari David Goodall, 104 vjeç, ka vdekur pasi ka zgjedhur të përfundojë jetën e tij në një klinikë në Zvicër, thotë një organizatë e të drejtës për të vdekur.
Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ekologjisti dhe botaniku i lindur në Londër dhe i cili së fundmi kishte jetuar në Australi nuk kishte ndonjë sëmundje.
Megjithatë, ai kishte thënë se një vendim i tillë i tij ishte nxitur nga cilësia e keqe e jetës së tij.
Goodall kishte fluturuar nga Australia për një vdekje të asistuar, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.
Në një paraqitje të fundit publike, ai ka thënë se ishte befasuar nga interesimi i njerëzve.
“Unë nuk dua të vazhdoj jetën”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.
Akademiku vdiq “në mënyrë paqësore” në orën 12:30 në klinikën në Basel, tha Philip Nitschke, themeluesi i Exit International, grupi që e ndihmoi atë në këtë drejtim.
Siç bëhet e ditur tutje, në minutën e fundit ai luajti një pjesë nga simfonia e 9-të e Beethovenit, ndërsa ushqimi i fundit i Goodall ishte ai i preferuari – peshku dhe patate të skuqura dhe ëmbëlsirë.
Ai nuk donte funeral dhe kërkoi që trupi i tij të dhurohej për mjekësi. /Telegrafi/