Barcelona do të fillojë fushatën e tyre të fazës eliminatore në Ligën e Kampionëve nesër (e mërkurë) kur ata do të përballen në “Diego Armando Maradona” ndaj Napolit në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales.
Të dy ekipet do të hyjnë në këtë takim me një formë relativisht të dobët, pasi që të dyja kanë performuar në një nivel jo të dëshirueshëm deri më tani këtë sezon.
Ndërsa Barcelona momentalisht nuk janë duke luajtur aq mirë, trajneri Xavi Hernandez po e sheh ndeshjen ndaj Napolit si një mundësinë për të treguar se ekipi i tij janë në gjendje që të konkurrojnë në garat evropiane, ka raportuar Mundo Deportivo.
“Për ne, ka emocion, shpresë, motivim për të avancuar tutje në çerekfinale. Mendoj se është kompeticioni më i madh në nivel klubesh. Është një mundësi ideale dhe perfekte për të demonstruar forcën tonë”.
“Napoli e ka ndërruar trajnerin e tyre në një mënyrë të befasishme, por ai është një trajner që e njeh klubin. Nuk do të jetë e lehtë për ne, sepse ne nuk e dimë se si ndeshja e tyre do të jetë me ndryshimin e trajnerit”, ka thënë fillimisht Xavi.
Xavi është mbështetur tek sulmuesit e tij për të bërë diferencën ndaj Napolit, në veçanti tek Robert Lewandowski, i cili është rikthyer në formë gjatë javëve të fundit.
“Për Lewandowskin, për Frenkien, për Pedrin. Është një mundësi perfekte për të shfaqur talentin dhe personalitetin tuaj, për mua si trajner po ashtu. Robert është një lider i madh dhe ai do të ketë një mundësi të madhe nesër që të shfaq talentin e tij”, u shpreh tekniku spanjoll./Telegrafi/