Telegrafi

Ai po planifikonte të bombardojë një qendër islamike – kur shkoi atje, u bë mysliman!

Një ish-ushtar amerikan u njoh me islamin dhe u bë mysliman teksa vizitonte Qendrën Islame, të cilën ai planifikonte ta bombardoj për shkak të “urrejtjes”.

Teksa kanë shpërthyer debatet mbi racizmin e bardhë dhe islamofobinë pas sulmeve terroriste në dy xhami në Zelandën e Re, ish-ushtari amerikan Richard McKinney bën një ndryshim me historinë e tij.

Richard McKinney, nga një ish-ushtar që mendonte të kryente një sulm me bombë në Qendrën Islame në Indiana, ka ndarë me shtypin lokal rrugën e tij se si ai u bë kryetar i të njëjtës qendër, shkruan AnadolyAgency.

Sipas shtypit lokal, McKinney ka kryer detyra për shumë vite brenda Trupave Detare të SHBA-ve në rajonet si Lindja e Mesme, Somali, Filipine, Amerikë e Jugut dhe pas kthimit në vendin e tij, bëhet e ditur se ai ishte shumë i mbushur me “urrejtje kundër myslimanëve”.

– Planifikonte të sulmonte me bombë artizanale Qendrën Islame

Ai ka shpjeguar se kohë më parë kishte në mendje që të shkatërronte një xhami, të vriste ose të plagoste shumë myslimanë dhe me bomba artizanale kishte projektuar që të sulmonte Qendrën Islame “Muncie”.

Duke vënë theksin se në atë kohë nuk i interesonte që do të kapej dhe burgosej, McKinney tha se është njohur me myslimanët pasi ka shkuar në Qendrën Islame në lagje, pasi vajza e tij e vogël një ditë i tregoi për veshjet e një fëmije myslimane që kishte ardhur e re në klasën e tyre.

– U bë mysliman pasi u njoh me islamin

Pasi ka bërë të ditur se myslimanët në Qendrën Islame ku ai kishte shkuar i lexuan pjesë nga Kur-ani dhe se u ndikua nga islami në një kohë prej 8 javësh, McKinney tha: “Fillova të shpenzoj më shumë kohë çdo ditë në xhami dhe çdo gjë filloi të më bëhej më e logjikshme. Deklarova shehadetin, doja të bëhesha mysliman dhe u bëra”.

McKinney, i cili u bë një burim frymëzimi për shumë njerëz pasi u bë mysliman, tani është kryetar i Qendrës Islame “Muncie”, ku ai dikur kishte planifikuar të kryente sulm me bombë.

“Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur Qendrën Islame dhe njerëzit këtu”, thotë McKinney.

Ai thekson se vazhdon të mbështesë komunitetin mysliman duke korrigjuar mendimet dhe ndjenjat e gabuara për Islamin.