Telegrafi

Ai pa ndonjë pajisje sigurie, poshtë të gjithë në ethe! Vetëm me duar, ‘alpinisti’ ngjitet në rrokaqiellin më të lartë në Parisin qendror

Një “alpinist” pa ndonjë pajisje sigurie dhe duke përdorur duart e tij është ngjitur në rrokaqiellin më të lartë në Parisin qendror – para se të arrestohej në majë të ndërtesës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet e postuara në mediat sociale treguan se burri i paidentifikuar u ngjit në Kullën Montparnasse të premten në mbrëmje, ndërsa shërbimet e urgjencës, përfshirë makinat e policisë dhe ambulancat shkuan drejt ndërtesës ikonike në kryeqytetin francez.

“’Ai u nis nga fundi menjëherë pas orës 7 të mbrëmjes dhe nuk u ndal”, tha një nga shikuesit e shumtë që bëri foto dhe video dhe i postoi ato në mediat sociale.

”Dukej tepër e rrezikshme dhe disa menduan se mund të ishte një përpjekje vetëvrasje, por ai vetëm vazhdoi”.

Gjithsesi, imazhet treguan se burri që kishte veshur një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra ndërsa “tërhiqej drejt qiellit”, dukej tejet i relaksuar.

Ndërsa u drejtua për në majë, një shpëtimtar që besohej të ishte pjesë e një njësie policie zbriti nga kulla duke përdorur litarë dhe e shoqëroi alpinistin, para se të arrestohej.

“Një burrë u mor në paraburgim në Kullën Montparnasse pas një ngjitje të paligjshme”, tha një burim i policisë së Parisit, duke konfirmuar se arrestimi ndodhi rreth orës 20:00.

Ndërtesa e qelqit dhe çelikut përfundoi në 1973 dhe mbetet ndërtesa më e lartë – rreth 210 metra – e këtij lloji në qendër të qytetit. /Telegrafi/