Nën vrullin e kritikave të ashpra me të cilat Harry Maguire është ballafaquar së fundmi, trajneri i “Djajëve të Kuq” Erik Ten Hag i ka dalur në mbrojtje 30-vjeçarit.
Mbrojtësi shtatlartë u vëzhgua me kujdes në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e “Tre Luanëve” të cilën ata e fituan me rezultat 3-1 ndaj Skocisë, por që ai fatkeqësisht shënoi një autogol.
Kjo ngjalli një diskutim të madh në komunitetin e futbollit, ku fokusi ishte kryesisht tek keqtrajtimi që I është bërë atij, me shumë persona që kanë thënë se kjo gjë tashmë ka dalur jashtë kontrollit.
Rreth kësaj çështje një koment dha edhe holandezi Ten Hag, i cili nuk u kursye aspak ndaj kritikuesve të Maguire.
“E kam thënë disa herë, ky është mosrespekt, ai nuk e meriton këtë, ai është një lojtar i madh. Harry duhet ta ndalojë këtë me performanca të mira. Ekipi është mbi gjithçka, secili duhet ta luaj rolin e vet, këtu kemi karaktere të ndryshme dhe ju duhet të dini të menaxhoni këto karaktere.”,u shpreh tekniku holandez.
Maguire u transferua në “Old Trafford” në vitin 2019 për një shifër rekord prej 80 milionë eurove. Pak kohë pasi u bë pjesë e Unitedit, menaxheri i atëhershëm Ole Solskjaer e emëroi atë kapiten të ekipit.
Që kur ai u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në botën e futbollit, performancat e tij gjithmonë janë ndjekur me një sy kritik nga opinioni sportiv. Kur Ten Hag erdhi në krye të klubit në maj të vitit 2022, Maguire filloi të humbasë rëndësinë e tij në ekip, dhe tani është vetëm zgjedhja e katërtë për holandezin pas Lisandro Martinez, Varane, dhe Lindelof./Telegrafi/