Lionel Messi fitoi çmimin e tij të katërt nga FIFA, si ‘Lojtari i ndeshjes’ në këtë Kampionat Botëror kundër Kroacisë. Megjithatë, shumë besojnë se Julian Alvarez është po aq përgjegjës për fitoren, ndoshta edhe më i miri.
Sulmuesi 22-vjeçar fitoi një penallti për golin e parë të Argjentinës, ndërsa dy të tjerët i shënoi vetë.
Publiku i gjerë i futbollit nuk ishte i njohur me këtë lojtar të madh, i cili po ashtu mbërriti në Katar si zëvendësues i Lautaro Martinezit shumë më të famshëm, sulmuesit të Interit.
Gjithsesi, në disa ndeshje fitoi simpatinë e trajnerit, të kombit dhe të gjithë botës së futbollit dhe po shkruan histori në Katar, madje Messi e veçoi pas ndeshjes.
Zëvendësues i sulmuesit më të mirë në botë
Alvarez është lojtar i Manchester City. Pep Guardiola e përfundoi transferimin e tij në janar të këtij viti dhe ‘Qytetarëve’ iu desh të paguanin 21.4 milionë euro te River Plate. Lojtari qëndroi i huazuar te River deri në fund të sezonit.
Këtë sezon ai mbërriti në Evropë, ku aktualisht gëzon statusin e zëvendësuesit të parë për Erling Haalandin, sulmuesin më të mirë në botë. Ai ka tre gola në Ligën Premier këtë sezon, por duke marrë parasysh numrin e minutave të luajtura (356), është një paraqitje e shkëlqyer. Ai është po aq i mirë edhe në Ligën e Kampionëve ku tashmë ka dy gola dhe dy asistime.
Ai mbërriti në Evropë si sensacion
Heroi i ri argjentinas u shit te Man City nga paraqitjet e tij fenomenale në ligën vendase. Në moshën 20-vjeçare, ai shënoi 18 gola në kampionatin e vështirë argjentinas dhe u bë golashënuesi më i mirë. I mjaftuan 20 ndeshje.
Me Riverin, ai fitoi Kupën e Argjentinës dhe kampionatin, dhe trofeu i tij më i madh i klubit deri më tani është Copa Libertadores, versioni i Amerikës së Jugut të Ligës së Kampionëve. Alvarez ishte gjithashtu pjesë e skuadrës argjentinase që fitoi Kupën e Amerikës në vitin 2021, që është trofeu i parë i madh kombëtar në karrierën e Messit.
Historia po shkruhet në Katar
Edhe pse e nisi kampionatin si zëvendësues, Alvarez shpejt tregoi se është në formë më të mirë se Martinez dhe se lëvizjet e tij i përshtaten më shumë Messit. Pas një disfate tronditëse ndaj Arabisë Saudite, ai nisi ndeshjen e dytë kundër Polonisë dhe shënoi një gol duke e bërë rezultatin 2-0.
Në 1/16 shënoi golin e dytë ndaj Australisë, të cilin Argjentina e fitoi 2-1 dhe Alvarez e tmerroi Kroacinë ndeshjen më të mirë të kampionatit, mbrojtja e së cilëve u çmend nga lëvizjet dhe konkretizimi i tij para portës.
Ai aktualisht ka katër gola, dhe vetëm Messi dhe Mbappe kanë më shumë. Me këtë paraqitje ai tashmë është golashënuesi i shtatë më i mirë në historinë e Argjentinës në Kampionatin Botëror. Para tij janë Messi, Gabriel Batistuta, Diego Maradona, Stabile, Mario Kempes dhe Gonzalo Higuain. /Telegrafi/