Site icon Telegrafi

“Ai është numri 6 më i mirë që ka ardhur në Rumani, ngjan me Kovacic” – drejtuesi i Cluj me fjalë të mëdha pas transferimit të Emërllahut

Nelu Varga, pronari i CFR Cluj, ka lavdëruar Lindon Emerllahun (22 vjeç), mesfushorin e transferuar nga FC Ballkani. 

Aksioneri i klubit rumun është i bindur se kanë bërë një goditje me transferimin e kosovarit, të cilin e ka quajtur “ndoshta numrin 6 më të mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani”. 

Varga tha se ka paguar 700 mijë euro për lojtarin me 100 ndeshje në treshen e Ballkanit.   Këtë sezon mesfushori ka 23 ndeshje, 3 gola dhe një asistim. 

Ai ishte i pranishëm në Arenën Kombëtare gjatë ndeshjes Rumani – Kosovë, kur lojtarët tanë ishin larguar nga fusha pas thirrjeve të tifozëve rumun.  

“Bëmë një lëvizje të vërtetë në ditën e fundit të transferimeve dhe morëm Lindon Emerllahun nga Ballkani. Ai është ndoshta numri 6 më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani. Kam paguar 700 mijë euro për të, plus 15 për qind për një transferim të ardhshëm”. 

Lexo po ashtu Lindon Emërllahu largohet nga Ballkani, karrierën do ta vazhdojë në Rumani

“Është një futbollist i jashtëzakonshëm, do të lërë menjëherë gjurmë në lojën e CFR-së. Ka pasur edhe lojtarë të tjerë nga Kosova, por Emerllahu është një nga futbollistët më të vlefshëm që kemi arritur të sjellim”. 

“Është një transferim që e mbajtëm të fshehtë, sepse donim shumë që ky futbollist të vinte në CFR Cluj. Ai është lloji i lojtarit që bën diferencën dhe që do të na ndihmojë të fitojmë titullin kampion. “Nëse më duhej ta krahasoja me dikë, atëherë ai është si Mateo Kovacic i Manchester City”, ka thënë Nelu Varga, përcjell mediumi rumun fanatik.ro. 

CFR Cluj aktualisht ka tre mesfushorë mbrojtës në skuadër, Moustapha Name, Kader Keita dhe Panagiotis Tachtsidis (i lënduar). /Telegrafi/  

Exit mobile version