Yaya Toure aktualisht ka nisur punë si trajner, duke qenë së fundmi ndihmës i Roberto Mancinit në ekipin kombëtar të Arabisë Saudite, ndërsa ka punuar edhe te Standard Liege dhe trajner i ekipit të të rinjve të Tottenham.
Yaya fitoi Ligën e Kampionëve si lojtar me Pep Guardiolën te Barcelona, dhe më pas kaloi tetë vjet te Manchester City.
Shumë e konsiderojnë atë një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave në Ligën Premier.
Në një intervistë për beIN Sports, Toure u pyet nëse ylli i Liverpool, Mo Salah ishte aktualisht lojtari më i mirë afrikan, për të cilin Toure u përgjigj se sipas tij Salah është lojtari më i mirë në të gjithë botën, jo vetëm në Afrikë.
“Pa asnjë mungesë respekti për askënd, Salah meriton të jetë në bisedën me më të mirë në botë. Njerëzit flasin për qëndrueshmëri – kam parë lojtarët të mbivlerësohen pas një sezoni. Por ky djalë, ai ka qenë i qëndrueshëm për kaq shumë vite, dhe njerëzit ende gjejnë një mënyrë për të folur për të ndryshe”, deklaroi Toure.
Liverpool është skuadra më e mirë në Ligën Premier këtë sezon, duke garuar drejt titullit kampion dhe një nga skuadrat më të mira në botë, dhe Salah është lideri i saj.
32-vjeçari ka shënuar fantastike 30 gola dhe 21 asistime në 38 ndeshje. Salah në Evropë ka bërë karrierë te Basel, Chelsea, Fiorentina dhe Roma.
Ai ka 101 ndeshje për Kombëtaren e Egjiptit, duke shënuar 59 gola. /Telegrafi/