Site icon Telegrafi

Ai është kreu i kartelit të drogës me shtrirje në katër kontinente, SHBA-të ofrojnë 10 milionë dollarë për “kokën e tij”

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka ngritur 15 padi kundër anëtarëve të një prej karteleve më të mëdha të drogës në Meksikë.

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions shpalli akuzat kundër anëtarëve të Kartelit “Jalisco Nueva Generacion”, i njohur shkurt CJNG, i akuzuar për trafikimin e disa ton kokainë, metamfetaminë dhe heroinë të lëngëzuar me fentanil në SHBA.

Njoftimi vjen një ditë pasi kryeprokurori e quajti kartelin një nga pesë organizatat kriminale transnacionale.

Hetuesit besojnë se karteli sjell rreth 5 ton kokainë dhe pesë ton metamfetamine në SHBA nga Meksika çdo muaj.

SHBA-të kanë vënë nën akuzë 45 persona, udhëheqës të kartelit, financues, transportues dhe furnizues, shkruan AP.

“Çdo ditë, këto kartele shfrytëzojnë kufirin tonë të Jugut për të lëvizur dhe për të shtyrë drogën e tyre të paligjshme për përfitime të mëdha – duke zgjeruar vuajtjen dhe vdekjen përgjatë rrugës”, tha Sessions në një konferencë shtypi.

Nemesio Oseguera Cervantes, konsiderohet “mbreti” i kartelit dhe njihet ndryshe si “El Mencho”, ndaj të cilit janë ngritur tre aktakuza.

Ai mbetet ende i arratisur ndërsa SHBA ofron një shpërblim 10 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e tij, përcjell oranews.tv.

Djali i tij, Ruben Oseguera Gonzalez, i cili shërbeu si komandanti i dytë i kartelit deri sa u arrestua nga autoritetet meksikane më 2015, akuzohet gjithashtu nga autoritetet amerikane.

Zyrtarët besojnë se karteli ka ndikim në 75 për qind të shteteve meksikane. Karteli vepron gjithashtu në të gjithë SHBA, dhe në Evropë, Azi dhe Australi, sipas prokurorëve.

“Ata janë të pamëshirshëm. Ata nuk do të lejohen të qetë deri sa të ndalen”, tha kryeprokurori.

Exit mobile version