Pas një Kampionati Evropian ku ishte nën qendër të vëmendjes me Turqinë, Arda Guler pati një ndikim të menjëhershëm pas kthimit te Real Madridit.
Lojtari i lindur në vitin 2005 la një përshtypje të shkëlqyer në ndeshjen miqësore kundër Milanit dhe vetë Carlo Ancelotti pranoi me habi kur pa evolucionin e tij fizik në vetëm pak muaj.
“Ai ka ardhur shumë mirë, ka punuar shumë gjatë pushimeve. Tani është më i fuqishëm, më rezistent dhe me të njëjtën cilësi. Do të jetë një sezon i rëndësishëm për të”, deklaroi Ancelotti.
Në fakt, siç shpjegon gazeta spanjolle, sfida për 19-vjeçarin turk është që ta përshtatë trupin e tij në nivelin e bashkëlojtarëve të “Los Blancos”, ndërsa Ancelotti foli edhe për pozitën ideale të tij te Real Madridi.
“Mendoj se sa më afër portës, aq më mirë. Është shumë efektiv, shënon shumë me pak hapësirë, ka një talent të veçantë. E tregon më së miri afër portës”, nënvizoi italiani.
Fjalë të rëndësishme nga Ancelotti, por talenti turk duhet të përballet me konkurrencën e fortë pasi në fazën e sulmit ka emra si Kylian Mbappe, Jude Bellingham, Rodrygo e Vinicius Junior. /Telegrafi/