Telegrafi

Ahrens: Zgjidhja e statusit të Kosovës ka përpara një rrugë të vështirë

Nëse puna vjen tek njohja e njëanshme e pavarësisë, Ahrens në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë të vetme në këtë njohje, do të ketë edhe vende të tjera, për shembull nga Bashkimi Evropian.

"Por do të ketë vende të tjera që nuk do ta njohin Kosovën. Ndërkohë Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e OKB-së sepse kjo mund të pengohet nga vetoja. Gjithashtu, do të ketë marrëdhënie të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë sidomos në kufi. Në një farë mënyre, normalizimi i krejt Ballkanit dhe hyrja e tij në strukturat euroatlantike do të pengohet rëndë. Kosovës do t’i duhet të orientohet drejt perëndimit me anë të rrugës që po ndërtohet me Shqipërinë, në mënyrë që të ketë një zhvillim ekonomik normal", vlerëson ai.

Ish diplomati gjerman mendon se pa një njohje në Kombet e Bashkuara, rruga për Kosovën do të jetë e vështirë. "Problemi është se nëse zgjidhja për Kosovën nuk pranohet në Kombet e Bashkuara, atëherë mund të kemi një konflikt të zgjatur, të ngrirë, sepse, në rast të shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme do të kishim një Kosovë të ndarë ku në veri të lumit Ibër do të ishin serbët në kontroll".

Ambasadori Ahrens mendon se një situatë e tillë nuk do të ishte e favorshme për asnjërën nga palët. "Unë gjithnjë u them miqve të mi serbë se zgjidhja më e mirë për Serbinë do të ishte të pranohej në mënyrë miqësore një Kosovë e pavarur me të cilën të mbaheshin marrëdhënie të mira. Kjo do të bënte që të kishte siguri për monumentet fetare dhe kulturore serbe, të cilat duhet të mbrohen".