Site icon Telegrafi

Ahmeti: Zgjidhja e emrit dhe anëtarësimi në NATO, janë prioritete për Maqedoninë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” ka foluar për situatën aktuale mes Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe për tema tjera në lidhje me integrimet euroatlantike, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai në intervistë tha se dy prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë janë zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë dhe anëtarësimi në NATO me referencën IRJM.

“Zgjidhja e kontestit të emrit është një nga prioritetet më të mëdha. Ne jemi fqinjë dhe e ardhmja jonë e përbashkët është Bashkimi Evropian. Greqia duhet ta mbajë pishtarin që do ta çojë drejt BE-së”, tha Ahmeti, duke shtuar se Maqedonia duhet të anëtarësohet në NATO me emër të përkohshëm, para se të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjet e kontestit.

Sipas Ahmetit, duhet të ndërmerren hapa që punët të shkojnë përpara.

“Duhet të kemi parasysh edhe çështjet gjeopolitike dhe të punojmë më shumë për përparim të Ballkanit Perëndimor, pasi të gjithë do të kenë dobi”, tha Ahmeti. Ai shtoi se Maqedonia nuk ka synime maksimaliste ndaj Greqisë./Telegrafi/

Exit mobile version