Telegrafi

Ahmeti: Vizita e Putinit në Beograd, tregoi se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë larg (Video)

Analisti Arben Ahmeti ka thënë se vizita e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi, ka treguar se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë larg.

Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se vizita e sotme e Putinit ka dëshmuar se Serbia e as Vuçiqi nuk kanë ndryshuar.

“Derisa ne kemi filluar paralajmërimet se marrëveshja me Serbinë është afër, kjo e fundit ka vazhduar me lobimin kundër Kosovës. Pra, Serbia ka intensifikuar luftën diplomatike kundër Kosovës, e ne këtu në Prishtinë kemi filluar debatin se si po arrijmë marrëveshjen diplomatike me Serbinë”.

Analisti ka thënë se nuk ka ofertë të re nga Rusia as për Serbinë, por vetëm një konfirmim i raporteve historike mes tyre.

“Ajo çka nuk pritej, ishte përmendja e tepërt e Rezolutës 1244. Në fakt ajo është fuqizuar edhe më shumë në këtë konferencë [Putin Vuçiq]. Serbia po rikthehet te arma e saj e vetme që i jep një legjitimitet në raport me Kosovën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ahmeti ka thënë se sot kanë dështuar të gjithë ata që e kanë projektuar Vuçiqin si një fuqi që do ta shkëpus Serbinë nga ndikimi rus.

Ai ka shtuar se është karakteristike edhe ftesa që Vuçiqi u kishte bërë liderëve të opozitës së Malit të Zi  dhe Dodikut të Republikës Srpska të Bosnjës, si dy elementë pro-rus në Ballkan.

“Munguan maqedonasit. Duket se më në këtë vend nuk ka elementë të organizuar pro-rusë. Duket se Maqedonia ka shpëtuar nga gjeopolitika ruse”, tha ndër të tjera Arben Ahmeti./Telegrafi/