Telegrafi

Ahmeti: Vizita e Putinit në Beograd, dëshmon glorifikimin e regjimeve autoritare në Serbi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh bashkë-kryesuesi i dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti e ka cilësuar si “glorifikim të regjimeve autoritare”, vizitën e Vladimir Putinit në Serbi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ahmeti thotë se vizita e sotme është dëshmi se në Ballkan ka nevojë urgjente për demokratizim.

Sipas tij, BE-ja duhet të jetë synimi i vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Vizita e sotme e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd e shpërfaq më së miri nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor. Glorifikimi i regjimeve autoritare nga Serbia shtetërore e cila po përballet po ashtu me protesta masive qytetare kundër autoritarizmit po dëshmon se rajoni, e sidomos Serbia, duhet t’i jepë urgjentisht përparësi demokratizimit të saj dhe vlerave universale për të drejtat e njeriut. Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë synim vetëm se për investime dhe për zhvillim ekonomik, por sidomos për vlerat e saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Postimi i plotë:

Vizita e sotme e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd e shpërfaq më së miri nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor. Glorifikimi i regjimeve autoritare nga Serbia shtetërore e cila po përballet po ashtu me protesta masive qytetare kundër autoritarizmit po dëshmon se rajoni, e sidomos Serbia, duhet t’i jepë urgjentisht përparësi demokratizimit të saj dhe vlerave universale për të drejtat e njeriut. Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë synim vetëm se për investime dhe për zhvillim ekonomik, por sidomos për vlerat e saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut.

Fryma dominuese shoqërore dhe deklaratat e krerëve të Republikës së Serbisë lidhur me vizitën e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd vërtetojnë edhe më shumë se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe integrimi euro-atlantik, të përfshira në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, janë jo vetëm kushte të domosdoshme për marrëveshjen eventuale midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe garanca për paqen e demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian.

Pas normalizimit të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Greqisë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një shansë për një rajon të nesërm të paqëtuar, të demokratizuar dhe të zhvilluar. Për një realitet tjetër nga atë që po e shohim sot në Beograd. /Telegrafi/