Kryetari i Partisë Socialdemorkate, Shpend Ahmeti ka thënë se tani që ka përfunduar numërimi preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit, porosia e votuesve ishte e qartë.
Ai ka thënë se tani është e qartë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë, transmeton Telegrafi.
Ahmeti ka uruar edhe një herë Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e së dielës, duke iu uruar punë të mbarë në realizimin e zotimeve që kanë dhënë.
“Shpresojmë në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve dhe formimin e institucioneve për shkak të përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve. Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve.
Siç kam thënë natën e parë, urojmë fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Pa marr parasysh dallimeve urojmë punë të mbarë në realizimin e zotimeve që i kanë dhënë, posaçërisht me ato që pajtohemi”, ka shkruar ai.
Ahmeti ka komentuar edhe rezultatin e PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit, ai ka thënë se rezultati është jo i kënaqshëm.
“Për PSD, ky ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra. Ne edhe sot besojmë se kanë qenë vendime të drejta në interes të shtetit të cilat qytetari qartazi nuk i ka përkrah në nivelin e duhur.
Ne vazhdojmë të besojmë në barazi, mirëqenie e solidaritet. Do ta përkrahim qeverinë e re në pika të interesit nacional dhe ku pajtohemi, si psh dialogu me Serbinë ku nuk ka ndryshim të kufijve e nivel të tretë të qeverisjes e deri te insistimi në rritjen e pagës minimale. Por edhe do ta kundërshtojmë e monitorojmë për vendimet që nuk pajtohemi”, vijon shkrimi i Ahmetit.
Në fund ai ka thënë se do të fillojnë një rindërtim të relacionit me qytetarin për të vazhduar luftën për socialdemokraci e mirëqenie në Kosovë.
Në zgjedhjet e së dielës, koalicioni AAK-PSD ka marrë 11.57 për qind të votave./Telegrafi/