Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar edhe një herë qytetarët lidhur me masat parandaluese që i ka ndërmarrë Qeveria sa i përket parandalimit të coronavirusit.
Ahmeti ka pohuar se vendimi i Qeverisë nuk i mbyll të gjitha bizneset.
“Ka një keqkuptim në lidhje me vendimin e qeverisë. Janë mbyll restorantet, pubet e kafeteritë dhe Qendrat Tregtare, që konsiderohen si aktivitete sociale pa të cilat mundemi të funksionojmë përkohësisht.Vendimi nuk i mbyll krejt bizneset. Shërbimet tona vazhdojnë të funksionojnë edhe pse mund të jenë të reduktuara.Mos harroni se masa më e mirë është në duart e juaja e ajo është që ti reduktoni aktivitetet që nuk i keni të domosdoshme. Pra #rriNshpi në qoftë se nuk keni nevojë me dal”, ka shkruar Ahmeti në Facebook, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, ai ka sqaruar se transporti publik do të vazhdojë të funksionojë.
“Pas konsultimeve me Ministrin e Shëndetësisë dhe në bashkërendim të institucioneve, Transporti publik do të vazhdojë funksionimin sepse ka nevojë qoftë edhe në qoftë së funksionon vetëm për stafin shëndetësor. Edhe këtu me rekomandimin e njëjtë, lëvizni vetëm në rast nevoje. Shoqata e Taksive na ka informuar që anëtaret e shoqatës Pasagjeri do të suspendojnë veprimtarinë përkohësisht duke filluar sot nga ora 15:00! I mirëkuptojmë dhe do të jemi në kontakt me shoqatën sipas nevojës”, ka sqaruar Ahmeti
Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar tre raste me coronavirus, dy janë nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një shtetase e Italisë e cila ishte duke qëndruar në Klinë. Pas këtyre rasteve, Qeveria ka vendosur që Vitia dhe Klina të jenë në karantinë./Telegrafi/