Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se në takim me kryeministrin, Avdullah Hoti tha se kanë diskutuar për mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor, por sipas tij është problematike që ende nuk ka një vendim rreth kësaj çështje.
Ahmeti ka thënë se atë që e kanë parë në çerdhe nga testet serologjike është se nëse aty ka hy virusi, janë infektuar shumica.
Kreu i Prishtinës u shpreh se ndoshta është arritur një kulm sa i përket të të infektuarve dhe mund të ketë stabilizim në numrat e përgjithshëm, por sipas tij do të ketë vatra të infeksionit.
Duke folur për mundësinë e testimit të të gjithë mësimdhënësve, Ahmeti tha se “nuk besoj se ka kapacitete për të testuar të gjithë mësimdhënësit”.
“Nuk besoj që ka kapacitete për tu testuar mësimdhënësit. Kosova vazhdon t’i ketë 450 teste në ditë, ndërsa testet serologjike janë 200 në ditë. Vetëm në Prishtinë janë 46 mijë nxënës dhe rreth 5 mijë punëtorë të arsimit”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës, tha se në shtetet që ka hapje të shkollave po tregohet se storiet që fëmijët nuk përhapin virusin nuk janë të vërteta. /Telegrafi/