Analisti Arben Ahmeti ka thënë se situata e përplasjeve institucionale në të cilën ndodhet Kosova është bërë qesharake.
“Për herë të parë në arenën ndërkombëtare e ke një kryeministër që dërgon letra diplomatike e që kërkon të mbrohen kufijtë dhe ke një president që nuk le vend pa vizituar dhe kërkon të ndryshohen këta kufij”, tha ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Sipas analistit situata aktuale nuk lë hapësirë për dikë, që të jetë i relaksuar.
“Koalicioni PANA e ka pru vendin në këtë situatë të pakëndshme”.
Ai ka thënë se Kosova është në një pozicion ndërkombëtar shumë të vështirë.
“Nuk ka pozicion më të keq që Kosova është gjendur në arenën ndërkombëtare, as para vitit 1999”.
Sipas Ahmetit përplasja Thaçi-Haradinaj ka tejkaluar debatin e brendshëm.
“Debati i brendshëm është diçka që konsumohet, por ne kemi përplasje diplomatike”.
Kjo përplasje mes dy liderëve institucional, sipas Ahmetit do të ndikojë edhe në raportet mes partnerëve të koalicionit.
“Deputetët e PDK-së po shihet se po rreshtohen në krahë të Thaçit dhe deputetët e AAK-së janë rreshtuar në krahë të Haradinajt, dhe kjo do të ndikoj në koalicion. Jo pafundësisht deputetët e PDK-së do të mund të durojnë të qenët pjesë e një qeverie që është kundër liderit të tyre të pakontestueshëm siç është z.Thaçi”, tha ndër të tjera Arben Ahmeti./Telegrafi/