Telegrafi

Ahmeti: Të gjithë si ujqër janë organizuar kundër BDI-së

Në kuvendin e parë BDI që u mbajt në Saraj para kongresit të partisë, lideri i partisë, Ali Ahmeti foli për atë, siç tha ai, propagandën të cilën e organizuan kundër BDI-së.

“Të gjithë tanimë në mënyrë të egërsuar si ujqit po organizojnë propagandë kundër BDI-së… Le të ndalemi dhe të bëjmë analizë kush ka bërë më shumë për këtë vend, por gjithçka që është bërë jo vetëm e shkruar por e dokumentuar e analizuar në të gjitha fushat e veprimtarisë që nga flamuri kombëtarë deri te universitetet, gjuha, kultura që janë ngritur në nivele më të larta. Të gjitha këto janë të kësaj veprimtarie e këtij organizimi dhe këtij mobilizimi”, tha Ahmeti.

Ahmeti edhe njëherë tha se nuk i ka dëgjuar bisedat private familjare.

“Mua më vjen keq, unë e kam thënë edhe më herët dhe vërtet nuk i dëgjoj ata përgjime e biseda private e familjare, po si nuk ndodhi biseda familjare dhe private tek anëtarët e OBRM-PDUKM-së dhe LSDM-së, a vetëm të BDI-së paskan folur biseda private, ku janë bisedat tjera. Unë mendoj se ky popull nuk ha bar dhe bën krahasime, a vetëm këta paskan folur biseda, ata të tjerët paskan qenë engjëj dhe asgjë nuk paska”, deklaroi Ahmeti.