Telegrafi

Ahmeti: Të gjitha partitë duhet të japin kontribut për zgjedhje të lira dhe demokratike

Të gjitha partitë politike në Maqedoni duhet të japin kontributin e tyre për zgjedhje demokratike, të lira dhe fer, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me delegacionin e OSBE-ODIHR-së e përbërë nga kryesuesja e misionit në Maqedoni, Audrey Glover dhe analisti politik Rishi Data, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në këtë takim u diskutua për situatën poltike në prag të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, organizimin e zgjedhjeve dhe për standardet që duhet të përmbush Republika e Maqedonisë.

Ahmeti theksoi se të gjitha partitë duhet të kontribuojnë që të kemi një proces demokratik, të lirë dhe të ndershëm, në mënyrë që të forcojmë imazhin e shtetit dhe të ecim përpara në rrugë euroatlantike.

Delegacioni i OSBE/ODIHR-it shprehu kënaqësinë për takimin dhe për angazhimin e BDI-së në këtë proces zgjedhor, duke potencuar se është shumë e rëndësishme përmbushja standardet ndërkombëtare./Telegrafi/