Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, sot në Shkup ka takuar Christian Hellbach, i dërguar i veçantë i Ministrisë së jashtme gjermane për Evropën Juglindore si dhe ambasadoren gjermane në Maqedoni, Christine Althauser, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas kumtesës së BDI-së, kryetari Ahmeti dhe ambasadori Hellbach kanë diskutuar për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe zhvillimeve politike në vend, me theks të veçantë mbi përpjekjet për dalje nga ngërçi institucional dhe politik.
Në takim është biseduar edhe për përmbylljen e Marrëveshjes së Ohrit, reformat sistemore dhe integrimin euroatlantik. Hellbach nënvizoi mbështetjen e Berlinit për një Maqedoni të integruar në strukturat euroatlantike dhe sundim efikas të së drejtës./Telegrafi/