Telegrafi

Ahmeti takohet me Mustafën, flasin për dakordim për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka zhvilluar sot takim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa rreth çështjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se në vijim do të intensifikojnë takimet me qëllimin e një dakordimi për strategjinë për rrëzimin e Qeverisë.

Edhe LDK ka konfirmuar takimin përmes një komunikate për media, ku thekson se ekziston pajtimi se vendit i nevojiten zgjedhje të parakohshme, për çfarë do të punohet për të siguruar mbështetjen e nevojshme të deputetëve të opozitës, por edhe të atyre të pozitës.

“Grupet parlamentare do të bashkërendisin veprimet për rrëzimin e Qeverisë”, theksohet në komunikatë.

Ndryshe javën e kaluar, Mustafa ka takuar edhe kryetarin e VV-së, Albin Kurti me të cilin janë pajtuar për të ndërmarr hapat e duhur për rrëzimin e Qeverisë.

Lexo po ashtu Kurti takon Mustafën: U pajtuam që ta rrëzojmë Qeverinë

Postimi i plotë i Ahmetit:

Sot zhvilluam një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa. Përveç diskutimit për situaten politike në vend me Z. Mustafa diskutuam për nevojën e koordinimit opozitar në Kuvend dhe për diskutimet për inicimin e një mocioni të suksesshëm të mosbesimit. PSD vazhdon të shprehë gatishmërinë për një partneritet opozitar për nisma të përbashkëta.
Pasi që shprehem dhe sqaruam qëndrimet e PSD e LDK në vijim do të intensifikojmë takimet me qëllimin e një dakordimi për strategjinë për rrëzimin e qeverisë. /Telegrafi/