Telegrafi

Ahmeti: “Sllavomaqedonia” është emër i papranueshëm për ne (Video)

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias, tha se emri “Sllavomakedonija” i ngjitur, është zgjidhje e papranueshme.

“Qëndrimet tona janë të qarta, ne nuk pajtohemi që emri Sllavomaqedonia të jetë zgjidhje e bisedimeve me Greqinë. Unë nuk jam pjesë e ekipit negociues, por zgjidhje e pranueshme është ajo që të dy palët do të jenë të kënaqura”, tha Ahmeti, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai theksoi se ka pasur takim produktiv me Kotzias, ku kanë ndarë qëndrime të përbashkëta se Ballkani Perëndimor duhet të jetojë në paqe dhe stabilitet.

“Vendi jonë duhet të ketë bashkëpunim me gjitha vendet tjera të Ballkanit, si dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Tek Kotzias vërejta vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjes së emrit, me çka u vërtetua edhe deklarata e Stoltebergut, i cili tha se në NATO ka vend edhe për Maqedoninë”, tha Ahmeti.

Përndryshe, Nikos Kotzias dje dhe sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup, ku ka realizuar takim me krerët shtetëror në vend, ndërsa në konferencën për shtyp me Nikolla Dimitrov e përsëriti qëndrimin se për çështjen e emrit duhet të ketë ndryshime kushtetuese në Maqedoni./Telegrafi/