Telegrafi

Ahmeti: Më shumë informata për dialogun marrim nga BE-ja se sa nga udhëheqësit tanë

Proces jo transparentë e që nuk dihet kush cilin rol ka, e ka quajtur procesin e dialogut, Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës dhe njëkohësisht i partisë Socialdemokrate.

Thotë se këtë proces nuk e përkrahin dhe se nuk kanë asnjë informatë mbi atë se çka po ndodh me dialogun.

“Është pak për keqardhje që më shumë informata marrim nga Komisioni Evropian se sa që marrim nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës mbi atë se çka po ndodhë. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk e kanë përkrahjen në një proces jo-transparent dhe ku nuk e dimë as çka është roli i kujt, kush e ka mandatin dhe për çfarë po diskutohet. Pra, asnjëri prej tyre të mos e mendojë se e ka përkrahjen blanco nga asnjë subjekt opozitar, për sende të cilat nuk po tregojnë çka janë e as ku janë”, ka thënë Ahmeti.

Megjithatë, kryetari i PSD-së ka thënë se nëse duan përfshirjen e opozitës, atëherë duhet të tregohen më të sinqertë.

“Nëse përnime e kanë pjesëmarrjen e opozitës, atëherë duhet të jenë shumë më të sinqertë në atë se çka ofrojnë. Përndryshe, nëse janë punët e kryeme e po na thirrin për sy e faqe që me dalë në fotografi e me shpërnda fajin për ndonjë marrëveshje përfundimtare – jo faleminderit”, ka shtuar Ahmeti.

Tutje, diskutimet e mundshme për rend kushtetues dhe territor të Republikës së Kosovës, Ahmeti ka thënë se janë të papranueshme.

“Tash dëgjojmë në Bruksel që gjithçka është në tavolinë. Gjithçka në tavolinë i bjen që mund të diskutohet edhe për rendin kushtetues tonin, edhe për territoret që janë të Republikës së Kosovës, të cilat janë diskutime për ne të papranueshme. Por, në të njëjtën kohë, po them, nuk ka kurrfarë informimi. Janë taku dy herë me Vuçiqin e nuk ka asnjë deklaratë, as komunikatë, krejt diqysh si me dashtë me thanë “unë atje po diskutoj për juve, veç po du me ju dhanë pjesë të vogla të informatave, se unë jam ai personi i cili merrem vesh. Këto nuk ecin më në Republikë të Kosovës dhe besoj që duhet ta kuptoj këtë edhe presidenti edhe kryetari i kuvendit edhe kryeministri”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti përsëriti se kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, që të kalojë një rezolutë ku Kuvendi është bartës i dialogut dhe se Kuvendi duhet të mandatojë dikë.

Sipas Ahmetit, nuk ka interesim real nga delegacioni dhe presidenca, për pjesëmarrje të opozitës. Sipas tij, nëse kërkohen kompromise ato duhet të bëhen nga të dyja palët.

Kujtojmë se dje kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se e kanë mbështetjen e një partie opozitare, për procesin e dialogut, e për të cilën nuk ka dhënë emër. /kp/Telegrafi/