Telegrafi

Ahmeti shpreson që PSD dhe Alternativa të jenë një grup parlamentar (Video)

Kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë qëndrimi i subjektit të tij është për një grup të përbashkët parlamentar me partinë e Mimozës dhe Ilirit.

“Dëshira jonë do të ishte që PSD dhe Alternativa të jenë një grup i përbashkët parlamentar. Pra nuk po flasim për bashkim subjektesh sepse ata e kanë subjektin e tyre Alternativa”, tha ai.

Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se grupi do të quhej “Grupi parlamentar PSD-Alternativa”.

“Grupi do të quhej ‘Grupi parlamentar PSD-Alternativa’. Se a do të bëhet kjo, do të varet edhe nga Iliri dhe Mimoza, por qëndrimi ynë si PSD është pro bashkëpunimit dhe kemi dëshirën dhe vullnetin që të bashkëveprojmë në një grup të përbashkët parlamentar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i PSD-së ka thënë se takime të vazhdueshme ka pasi ata bashkëpunojnë në Kuvend për çështje të ndryshme.

“Nuk i kisha thënë që ka negociata, por takime të vazhdueshme ka, për shkak se ne bashkëpunojmë në fusha të ndryshme në Kuvend. Ka pasur edhe diskutime të ndryshme për këtë çështje, por u mbetet dy subjekteve të vendosin, por unë si kryetar i PSD-së mund të them se dëshira dhe vullneti është që t’i kemi në një grup të përbashkët parlamentar”, tha Ahmeti./Telegrafi/