Site icon Telegrafi

Ahmeti: Qeveria po e bllokon kryeqytetin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bllokuar Prishtinën. Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se në Prishtinë ka teprica buxhetore janë të pasakta dhe të pa vërteta. Ahmeti thotë gjatë një postimi në profilin e tij në Facebook se buxheti për ketë vit ka qenë 62 milionë euro ndërsa janë shpenzuar 64 milionë euro.

Postimi i Shpend Ahmeti në Facebook:

Ditëve të fundit, eksponentë të qeverisë kanë gënjyer publikun me të dhëna të pasakta të gjoja teprimit të buxhetit nga komuna e Prishtinës.

Për hir të së vërtetës dhe për t’i dëshmuar qytetarëve se me kënd kemi të bëjmë punë i kemi lënë të flasin pa reaguar.

Mirëpo, tani na duhet ta themi të vërtetën. Sivjet Komuna e Prishtinës ka pas shpenzime rekorde.

– Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2015 ka qenë 62 milionë euro, ndërsa janë shpenzuar 64 milionë euro, prej të cilave 24 milion euro në investime kapitale (me rekord në infrastrukturë).

– Për herë të parë në histori të Prishtinës, janë shpenzuar deri në fund mjetet nga granti qeveritar, pra nuk humbet ASNJË EURO.

– Do t’i shpenzonim edhe bartjet në maksimum, por sivjet kemi pas mungesë të të hyrave të cilat i shpjegojmë në vijim.

1. Qeveria nuk ia ka paguar komunës së Prishtinës 7 milionë euro në emër të tokës që ja ka marrë për nevoja të veta. Edhe pse me ligj kërkohet që brenda dy viteve të paguhet kjo shumë, kanë kaluar mbi pesë vite dhe kjo tash më është shkelje e rëndë ligjore.

2. Qeveria mban të bllokuar Parking Prishtina, ku kanë qenë të parapara minimum 1 milion euro të hyra në vitin 2015. Edhe pse i kemi përmbush të gjitha kushtet, kryeministri e mban të bllokuar.

3. Lajmi për faljen e borxheve pa shpjeguar si, ka dëmtuar të gjitha komunat në të hyrat vetanake. Përkundër kësaj kemi mbledhur mbi 83 për qind të tatimin në pronë.

4. Edhe pse është dhënë numri rekord i lejeve të ndërtimit, pagesat bëhen me këste, dhe rezultati i këtyre të hyrave do të shihet vitin e ardhshëm.

Pra. me gjithë bllokimet, tentim pengesat etj. Komuna e Prishtinës e përmbyll një prej viteve më të suksesshme në realizimin e buxhetit. Po të merrej qeveria me realizimin e investimeve kapitale të veta aq sa është marrë me bllokimin e Prishtinës, Kosova do ti kishte punët më mirë./Telegrafi/

Exit mobile version