Njëra nga temat më të nxehta në sportin vendor ditëve të fundit ka qenë ajo e stadiumit të Prishtinës ‘Fadil Vokrri’.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), nuk lejoi Prishtinën të luante ndeshjen e xhiros së parë ndaj Gjilanit në stadiumin e rinovuar.
Kjo ndalesë nga MKRS erdhi pasi ende nuk është bërë pranimi teknik i stadiumit.
E për këtë është shprehur edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Numri një i Prishtinës, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook ka thënë se UEFA nuk ka vendosur ende për licencimin, ndërsa ndeshja Prishtina – Drenica do të jetë ndeshje testuese e stadiumit.
Postimi i plotë i Shpend Ahmetit:
“UEFA ende nuk ka vendosur për licencimin e stadiumit Fadil Vokrri ndërsa pritet që përgjigja të merret në ditët në vijim. Me këtë raport punë kryerësi (AlTrade) dhe investitorët, MKRS si investitor kryesor dhe Komuna e Prishtinës presim të dimë se a ka nevoje për intervenime shtesë. Në qoftë se jo atëherë edhe zyrtarisht fillojmë procedurën e pranimit teknik”.
“Në ndërkohë jemi dakorduar që me 2 shtator të zhvillohet edhe një lojë testuese e cila në të njëjtën kohë është lojë kampionale Prishtina – Drenica, para ndeshjes që pritet të zhvillohet në mes të Kosovës dhe Ishujve Faroe me 10 shtator (në qoftë se stadium licencohet nga UEFA)”, ka shkruar Ahmeti. /Telegrafi/