Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë i ka dërguar dje kërkesë presidentit për marrjen e dokumentacionit lidhur me këtë çështje. Këtë e ka bërë të ditur njëri nga dy kryesuesit e ekipit, Shpend Ahmeti, dhe sipas tij, Presidenti Hashim Thaçi ka kohë deri të premten që të dorëzoj materialin e kërkuar. Thotë se presidenti duhet ta kuptojë që kjo nuk është garë me njëri-tjetrin.
Në anën tjetër, ndryshe nga kryesuesi tjetër i ekipit shtetëror, Fatmir Limaj, Ahmeti nuk është optimist sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Thotë se korrigjimi i kufirit ngjan në spekulim.
E nëse marrëveshja ndodhë, sipas tij, duhet të jetë fitore për të dyja palët, ku Kosova e fiton përfundimin e formalitetit dhe pavarësisë, duke u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Teksa sipas tij, edhe Serbia përfundimisht heq dorë nga një barrë e madhe, me garancën që e kërkon për minoritetin serb në Kosovë.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i PSD-së nga Brukseli thotë se në takimin që patën me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, i kanë bërë të ditur se nuk është BE-ja që vendosë se kush duhet të udhëheq bisedimet me Serbinë. Teksa kritika ka adresuar për LDK-në dhe Vetëvendosjen të cilat kanë kundërshtuar vazhdimisht ekipin shtetëror.
“Besoj se ishte e qartë edhe për Mogherinin dhe ajo e potencoi që sipas saj, duket se ka mundësi nga gatishmëria e të dyja palëve, nga disponimi në BE, nga disponimi në SHBA, në Moskë e në shtete tjera të sigurimit. Do të thotë është njëfarë mundësie. Se a të arrihet kjo, unë edhe më tutje besoj që gjasat janë më të mëdha që mos me u arritë marrëveshja sepse jemi larg”, tha ai.
Edhe më pesimist shprehet për mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në mars të këtij viti.
“Do të duhej të kishte një intensitet të jashtëzakonshëm për me pas marrëveshje në mars. Pra, ne po flasim për dekada e dekada konflikt, qoftë të armatosur, qoftë politik e të zgjidhet brenda një muaji nuk më duket as reale, me këto takime sporadike. Prandaj, sipas të gjitha gjasave atë që po e kuptoj unë edhe nga negociatorët është që tash duhet të shtohet intensiteti në dy – tre muajt e ardhshëm. Nuk e di ku e keni dëgjuar ‘në mars’, unë nuk kam dëgjuar asnjëherë ‘marsi’ si muaj. Por megjithatë është përmendur gjysma e parë e këtij viti, 6 mujori i parë”, shprehet ai.
Sipas tij, nuk është e arsyeshme që BE të përcaktojë se kush duhet të udhëheq dialogun me Serbinë.
Teksa tregon për atë që biseduan lidhur me këtë çështje me Mogherinin.
“Po shihet dhe BE-ja e ka kuptu që në deklaratat e saj së paku ka qenë shumë e njëanshme dhe këtë e potencuam dhe një herë. Dhe po ashtu e diskutuam se kush udhëheq, çka udhëheq. Nuk mendoj se BE-ja duhet të na tregojë neve se kush i udheheq bisedimet. Ne i treguam se jemi një ekip… 7:44 Moherini tha: ‘Nuk është detyrë e BE-së që t’i kallëzoj juve se kush iu përfaqëson’. Ne i thamë: ‘Dallimet tona politike janë dallime tona të brendshme. Ne në Bruksel do të vijmë me një zë, dhe tashmë keni një adresë. Kur i ftoni presidentët, i ftoni presidentët’. Megjithatë mandatin e vetëm për negociata dhe arritje të marrëveshjes e ka delegacioni shtetëror, në koordinim dhe në konsultim me krerët tjerë, përfshirë presidentin, kryeministrin apo Qeverinë e Republikës të Kosovës”, tregon ai.
Njëherësh, ai flet edhe për rolin e presidentit në këtë proces.
Duke kujtuar takimin me të parin e vendit, ku ai gojarisht kishte treguar se cilat janë temat, Ahmeti tha se për këtë kishte mbajtur shënime. Teksa thotë se Presidenca ka afat deri të premten, që të dorëzojë materialin që posedon nga ky proces.
“E kemi dorëzuar edhe zyrtarisht kërkesën si delegacion shtetëror, tek Presidenca, që të na ofrojnë të gjithë materialin që ata e kanë në dispozicion deri të premten, që i bie 11 janar. Pra, ne kërkojmë që të na dorëzohet ky dokumentacion, që ka diçka që është diskutuar, ato çështje mund t’i flasim. Nuk ka kuptim që neve si delegacion shtetëror, të mos na vihet në dispozicion dhe nuk kam parë ndonjë rezistencë të madhe, tash mbetet ta shohim. Pra, edhe Thaçi duhet ta kuptojë që nuk është kjo garë me njëri tjetrin, është një bisedë, një dialogim goxha i vështirë dhe këtu mund të kemi ndoshta idetë e ndryshme, mospajtimet, por besoj që Kosova do të ishte shumë më e fuqishme po ta kishte një zë dhe këtu gjithmonë”, thotë njëri nga dy kryesuesit e ekipit shtetëror.
Duke komentuar mungesën e përfaqësuesve të dy partive tjera opozitare në ekipin negociator, Ahmeti adreson kritika për LDK-në dhe Vetëvendosjen.
“Është veprim i papërgjegjshëm politik nga LDK dhe VV për të mos qenë pjesë e tavolinës. Nuk jemi duke folur për punët e mija ose të ndonjërit anëtar të delegoacionit, jemi duke folur për Republikën e Kosovës. Nëse ne mendojmë se nuk kemi përgjegjësi, nuk e di pse kemi hyrë në politikë. Kështu që s’po du me u marr me qet temë sepse ajo është tema më e rëndësishme. Sepse s’po më pëlqen ky – s’po më pëlqen ai, a në të njëjtën kohë shpreh gatishmëri për me u taku me Vuçiqin, e s’takohemi ne, unë nuk e kuptoj”, u shpreh Ahmeti.
Përkundër faktit se për BE-në është e qartë se edhe Serbia duhet të tregojë një gatishtimëri duke e ndalë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve, Ahmeti përsërit porosinë që e morën nga Federica Mogherini për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Sipas tij, përfaqësuesve të Komisionit Evropian iu bë e ditur se Kosova mund të vendosë 100 kushte që të mos ulet në tavolinë, pasi që Serbia nuk e ka zbatuar asnjë nga marrëveshjet teknike që janë nënshkruar 5-6 vitet e fundit.
Ndërsa tregon qëndrimin e ekipit negociator për idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit.
“Unë këtë korrigjimin deri më tani e kam dëgjuar si spekulim, dhe po them spekulim sepse e kam dëgjuar edhe Thaçin duke folur, por nuk kam parë ndonjë gjë konkrete që është diskutuar ose është dakorduar. Ndoshta hasim më vonë, nuk e di, nuk po përjashtoj mundësinë, por besoj që në platformën të cilën do ta prezantojmë para Kuvendit, ne e tregojmë. Në rezolutë është e qartë, Mandati jonë është Kushtetuta e Republikës të Kosovës, Kosova e ka shpallur pavarësinë, ne jemi në këta kufijtë që i kemi”, theksoi ai.
Në fund, i pari i PSD-së ka folur edhe për rolin e Amerikës në dialogun me Serbinë. E për të, është shumë i rëndësishëm fakti që kjo e fundit është e pa shmangshme në këtë proces.
Ndërsa është shprehur i bindur se zgjidhja e fatit të të pagjeturve do të jetë një nga kapitujt e parë të marrëveshjes së mundshme me Serbinë.