Telegrafi

Ahmeti i përgjigjet Zybës: Nuk e kam synim azilin në asnjë shtet, nuk ua kam pasur frikën kërcënuesve në asnjë rrethanë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Kosova.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka pohuar se nuk ua ka pasur frikën kërcënuesve në asnjë rrethanë, e aq më pak tash kur i njeh, transmeton Telegrafi.

“Jam qytetar krenar i Republikës së Kosovës dhe nuk e kam synim azilin në asnjë shtet tjetër. Nuk ja kam pas frikën kërcënuesve në asnjë rrethanë e aq më pak disave që i njoh mirë. Urime miq të mi! Kosova ka mjaft probleme për me i zgjidh”, ka shkruar ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Salih Zyba, ka përcjellë një mesazh për ish-bashkëpartiakun e tij Shpend Ahmetin, duke pretenduar se ky i fundit do ta humb edhe postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Lexo po ashtu Salih Zyba, porosi për ish-bashkëpartiakun: Shpend Ahmeti nuk do të jetë as deputet, as kryetar i Prishtinës

“Pas fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pyetja më e shpeshtë që po më bëhet është: a më shumë ke vota ti a Shpend Ahmeti.
I sigurt jam që Shpendi përveç që nuk do të jetë deputet, nuk do të jetë as kryetar komune. E vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku”, ka shkruar Zyba.

PSD në zgjedhjet e 6 tetorit garoi në koalicion me AAK-në, ku Shpend Ahmeti ishte kandidat për deputet, por kjo parti nuk arriti të fitojë më shumë se 7,633 vota, ose 7,58%, duke u renditur si partia e tretë në Komunën e Prishtinës”, kishte shkruar Zyba në Facebook, gjatë ditës së djeshme. /Telegrafi/