Kryetari i Prishtinës dhe i PSD-së, Shpend Ahmeti, i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sot ka publikuar vendimin ku ka vendosur që Shpend Ahmeti të vazhdojë të mbetet kryetar i Komunës së Prishtinës deri në zgjedhjet e ardhshme.
Vendimi Gjykatës Kushtetuese nuk i ka pëlqyer aspak kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se “të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mirë”.
Por, Shpend Ahmeti e ka akuzuar kreun e LDK-së Isa Mustafën, për mashttrim të opinionit, duke ia bërë me dije se Gjykata Kushtetuese vendimin e ka marrë me 23 janar.
Postimi i plotë i Ahmetit:
“Isa Mustafa ka deklaruar sot se ka humbur besimin në Gjykatën Kushtetuese e cila Njëzëri ka vendosur kundër kërkesës së paarsyeshme të LDK për zgjedhjet në Prishtinë.
Poashtu akademiku i nderuar paska mashtruar opinionin duke thënë se pas Kuvendit të shtunën, Gjykata ka vendosur sot kundër Abrashit.
Ne e dijmë që Isa Mustafa plot një vit ju ka thënë simpatizantëve se Gjykata do të na “rrëzojë “, por me 23 janar asaj gënjeshtre i ka ardh fundi.
1. Po e bashkangjes deklarimin e Isa Mustafes
2. Po e bashkangjes edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku në vendim thuhet se Gjykata NJËZËRI ka marr vendim me 23 janar.
3. Interesant qysh në “meselen” metaforike Isa Mustafa i referohet komunës si pronë, sigurisht e LDKsë.
4. Krejt në fund, sot Gjykata ka publikuar edhe vendimin e Istogut në favor të Haki Rugoves (LDK) e kundër Gani Dreshaj (AAK). Sigurisht për institucionalistin Mustafa ky vendim është i drejtë, por në rastin e Prishtinës është shitje e KREJT gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Marrëzi antiakademike!”, ka shkruar Ahmeti, i cili postimit të tij ia ka bashkangjitur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka publikuar vendimin lidhur me ankesën e Arban Abrashit për vendimin e PZAP-së, për zgjedhjet në Prishtinë.
Kushtetuesja ka marrë vendim në favor të Shpend Ahmetit, ku vendoset se ai do të vazhdojë të mbetet kryetar i Komunës së Prishtinës deri në zgjedhjet e ardhshme. /Telegrafi/