Site icon Telegrafi

Ahmeti pas vizitës me Konjufcën në Asamblenë e KiE-së: Kosova edhe një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, pas vizitës së përbashkët me kryeparlamentarin Glauk Konjufca në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), ka thënë se Kosova edhe një hap më pranë anëtarësimit në këtë mekanizëm.

Sipas Ahmetit, nga kjo vizitë është kuptuar që hapat e menjëhershëm të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës pas publikimit të raportit të Juristëve Eminent, kanë reflektuar pozitivisht në përparimin e procesit të anëtarësimit.

Lexo po ashtu Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

“Shqyrtimi dhe adresimi i rekomandimeve të Juristëve Eminent nga Grupi Koordinues për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës; miratimi nga Qeveria i Strategjisë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre; miratimi nga Qeveria i Kornizës së Indikatorëve për të Drejtat e Njeriut, që për referencë ka standardet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian; gatishmëria e Kryeministrit për takime të shpeshta dhe të rregullta me përfaqësuesit e komuniteteve etnike; nga ana e raportueseve dhe Komiteteve përkatëse janë shënuar si përparime të shpejta dhe serioze”, ka shkruar ai në Facebook.

Zëvendësministri i MPJD-së më tej ka thënë se përveç plotësimit të standardeve dhe adresimit të suksesshëm të rekomandimeve të Juristëve Eminent, lobimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe Kuvendit ka rezultuar në një mbështetje të madhe nga Grupet Politike dhe delegatët në APKiE.

“Sikurse nga përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare në KE për anëtarësimin e shpejt të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Gatishmëria e institucioneve të Kosovës për adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Këshilli i Evropës në njërën anë dhe mbështetja e madhe politike në APKiE dhe Komitet të Ministrave të KE në anën tjetër, do të duhej të përktheheshin në anëtarësim të shpejt dhe meritor të Republikës së Kosovës, në mënyrë që qytetarët e saj, veçanërisht komunitetet pakicë, të mos privohen nga mbrojta e të drejtave të tyre nëpërmjet mekanizmave të Këshillit të Evropës”, ka përfunduar Ahmeti. /Telegrafi/

Exit mobile version