Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka folur për vendimin e së enjtes të ministrit për shfuqizimin e vendimit për emërimin e 14 konsujve, duke e quajtur si hap të parë në rrugën për kthimin e rregullit dhe ligjshmërisë në Shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.
Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se vendimi i djeshëm nxiti edhe raportime e reagime për raste të tjera të përveçme e të dyshuara për shkelje, por që sipas tij, vendimet e radhës do t’i marrim me maturi dhe në kohën e duhur.
Lexoni të plotë postimin e Ahmetit në Facebook:
“Ministri Konjufca vendosi për shfuqizimin e një vendimi të paligjshëm të Ministrit të kaluar. Ky ishte hapi i parë në rrugën për kthimin e rregullit dhe ligjshmërisë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Vendimi i djeshëm nxiti entuziazëm tek qytetarët dhe anëtarët e Shërbimit të Jashtëm, gjë që tregoi se ka vullnet dhe besim për ndryshimet për të cilat jemi votuar. Por, vendimi i djeshëm nxiti edhe raportime e reagime për raste të tjera të përveçme e të dyshuara për shkelje.
Në lidhje me reagimet mbi rastet e tjera, duhet t’i kemi parasysh dy gjëra:
Së pari, ne nuk do ta trajtojmë asnjë rast me emër të përveçëm. Pra, do të punojmë që fenomenet e shkeljes së ligjit në Shërbimin e Jashtëm të luftohen, duke mos shikuar emra, prejardhje apo qëndrime partiake.
Së dyti, dje ishte vetëm hapi i parë. Vendimet e radhës do t’i marrim me maturi dhe në kohën e duhur.
Ndryshimi ka filluar!”.