Site icon Telegrafi

Ahmeti, partive politike: 14 viktima ishin dje nga coronavirusi, të paktën kërkoni falje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti rikujtoi sot fushatën zgjedhore të partive politike ku nuk u respektuan masat antiCOVID-19, ndërsa tha se një ditë më parë në vend u shënuan 14 viktima nga coronavirusi dhe për këtë së paku do të duhej të kërkohej falje.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook thotë se viktimat po trajtohen si numra.

Lexoni të plotë postimin:

“Kur partitë pa përjashtim (bashkë edhe me mjekët brenda partive) injoruan covidin totalisht në fushatë, arsyetimet ishin banale – thjeshtë thonin se ju duhen takimet me qytetarë që në përkthim i bie ‘na duhen votat’.  Akuzat e ndërsjella për këtë temë konsideroheshin debate politike të fushatës.

Dje në Kosovë ishin 14 viktima nga COVID në një ditë.  Katërmbëdhjetë në NJË ditë. A ka fije përgjegjësie nga dikush, së paku të kërkojë falje?  Si kanë mundësi të flasin për çkado tjetër para se ta bëjnë këtë gjë?

Apo ti numërojmë e rinumërojmë njëherë e mandej merremi me të. Thjeshtë po trajtohet si çështje numrash. Sot 14, nesër sa?”. /Telegrafi/

Exit mobile version