Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar padi ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të siç thotë ai, ‘shpifjeve të fundit’ që kanë prezantuar nëpër konferencat e tyre për shtyp.
Ai thotë se arsyeton veprimet e PDK-së, sepse nga partia e parë, janë bërë partia e tretë në vend.
“Janë zgjedhjet, këta janë në një krizë të madhe në nivel qendror, kanë ra në 23 deputetë, është e paimagjinueshme për PDK-në që ata po binë e VV po ngritët. Ndoshta edhe po mësohen me qenë në opozitë, po ushtrohen ngapak se qysh është me qenë në opozitë. Por nuk mund të zëvendësojë kjo assesi faktin që ata janë duke ra”, ka thënë Ahmeti në intervistë për Periskopin.
Ai ka thënë se PDK ende nuk ka vendosur për kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, me të cilin thotë, se mezi prêt të diskutojë nëpër debate për të gjitha çështjet.
“Ata ende nuk e kanë qitë kandidatin për Prishtinë dhe unë mezi pres të dalim në debate e t’i diskutojmë këto”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka paralajmëruar padi për PDK-në, pasi që thotë se nuk kanë bazë asnjë nga akuzat që po ia bëjnë.
“Por, edhe një gjë dua të potencoj, padi, për të gjitha këto shpifje po i presin sepse me i thënë punëtorit të kuzhinës qendrore që kanë punuar qe 30 vjet me ju thënë militant pa kurrfarë përgjegjësie publike, atë duhet ta dëshmojnë në gjyq, pra edhe t’i shohim se ku janë ato rrena. Flet ministrja e Drejtësisë aty në konferencë për shtyp edhe i bëhet pyetja a e keni qu në Prokurori, është përfaqësuese e sistemit edhe ajo thotë ‘jo si kemi qu”, tha Ahmeti.