Infektologu , Salih Ahmeti ka folur mbi variantin afrikan të COVID-19 që është shfaqur te një pacient në Kosovë.
Salih Ahmeti tha se kohët e fundit në Kosovë, ashtu si në Evropë, infektimet me COVID-19 kanë rënë ndjeshëm, mirëpo shfaqja e varianteve të reja, siç ishte edhe varianti afrikan, është gjithmonë e mundshme.
“Edhe në vendet evropiane por edhe tek ne, pati një ulje shumë të shpejtë e të theksuar të rasteve me COVID-19 dhe një situatë më të dukshme dhe të stabilizuar sa i përket formave të rënda të sëmundjes, por edhe të atyre që kanë rezultuar pozitivë në rastet e përditshme. Sot, në mostrat e një pacienti ka rezultuar se tek ai është i pranishëm varianti afrikan. Këto variante janë të mundshme, të pritshme. Ky është rasti parë me variantin afrikan”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti tha se pacienti nga Kosova nuk ka pasur ndonjë udhëtim jashtë vendit dhe për këtë, institucionet përkatëse në Kosovë do të bëjnë hulumtimet e nevojshme tek kontaktet e afërta të pacientit me variantin afrikan.
“Është pacient kosovar që nuk ka pasur udhëtime jashtë dhe sot po bëhen gjurmime në rastet e afërta të kontaktit për të dhënë shpjegime më të qarta rreth mundësisë së marrjes së infeksionit. Mendoj se ne jemi një vend shumë i afërt me vende të tjera dhe meqenëse varianti afrikan në vendet e evropiane, bën që prania e këtij rasti në Kosovë të mos jetë befasuese”, u shpreh mjeku infektolog.
Salih Ahmeti tha se sipas informacioneve të deritanishme, në aspektin klinik varianti afrikan nuk paraqet ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Ky variant jep manifestime klinike të ngjashme me variantin origjinal ose atë britanik, të cilët kanë qenë të pranishëm në Kosovë.
Pacienti i hospitalizuar, sipas Ahmeti, ka simptoma të ngjashme me pacientët e infektuar me variantin origjinal, ai ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore, mirëpo kuadri i tij klinik është pak i rënduar.
“Aktualisht edhe pacienti që kemi të hospitalizuar është një pacient i zakonshëm. Sikurse edhe tek format e variantit origjinal, manifestimet klinike mund te jenë nga më të lehtat te më të rëndat. Pacienti ka një kuadër klinik të rënduar, por është shumë i stabilizuar. Ne po bëjmë më të mirën që gjendja të përmirësohet”, u shpreh z. Ahmeti.
“Gjendja shëndetësore e pacientit është e stabilizuar, është 43 vjeç dhe po aplikojmë protokollet standarde të trajtimit me COVID-19 dhe kemi shpresa që gjendja e tij shëndetësore në ditët e ardhshme do të jetë e mirë, shtoi ai.
Mjeku infektolog tha se varianti afrikan, në raport me variantin origjinal është pak më i transmetueshëm dhe prek moshat më të reja, mirëpo sipas tij, nuk duhet të jetë ndonjë shqetësim i veçantë.