Partia Socialdemokrate e Kosovës në shënimin e njëvjetorit të riaktivizimit të saj ka paralajmëruar se është e gatshme për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe ka kërkuar nga partitë tjera opozitare që të sjellin nënshkrimet e tyre për të nisur një mocion mosbesimi.
Kryetar i PSD-së, Shpend Ahmeti, tha se Kosova është sot në një gjendje me probleme të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, gjë e cila po ndikon në ikjen e të rinjve, ndërsa iu kundërpërgjigj akuzave të pjesës tjetër të opozitës se kjo parti po mbështet vazhdimin e qeverisjes aktuale në nivelin vendor.
“Sot po iu them të gjithë atyre që na kanë sulmuar që një vit. Ne jemi për ta rrëzuar këtë qeveri, këtë e kemi thënë që nga dita e parë, jemi të vetmit që kemi deponuar nënshkrimet, nuk ka rëndësi se si dalim në zgjedhje. Ne do të punojmë për atë se si të dalim në zgjedhje, por edhe sot nga këtu iu themi të gjithëve që le t’i sjellin edhe ata nënshkrimet dhe le të shohin se çdo ditë që vazhdon kjo qeverisje nuk kanë treguar rezultat për mirëqenien qytetare, andaj ne nuk mund të jemi për këto qeveri”, porositi ai.
Ahmeti ka akuzuar partitë që ishin në pushtet paslufte se nuk kanë punuar për të mirën e qytetarëve, duke u marrë më tepër me interesat e veta gjë që ka çuar në dështimin e tyre, ndërsa pati edhe një fjalë për Vetëvendosjen.
“Më nuk do të heshtim në çfarëdo të pavërtete të rrejshme që na thonë për neve, sepse kemi hyrë të sinqertë në këtë politikë për të ndryshuar gjendjen në këtë vend, kemi mbetur të njëjtit dhe do të vazhdojmë të mbetemi të njëjtit duke luftuar për këto për të cilat kemi hyrë në politikë”, tha Ahmeti.
Ndërsa, deputetja Shqipe Pantina, tha se pa një gjyqësor të fuqishëm nuk mund të ketë një shtet të së drejtës dhe e vetmja zgjidhje sipas saj është vettingu.
“Korrupsioni është problem, pasi që po i pengon investimet e huaja, të cilat do hapnin vende të reja të punës. Korrupsioni po bëhet pengesë për një shëndetësi dhe arsim më të mirë dhe po i shkatërron ndërmarrjet publike, dhe po lulëzon sepse gjyqësori i ndikuar partiakisht ka ngecur, andaj PSD ne e kemi prioritete këtë përmes gjyqësorit, vettingut, një proces i ndjeshëm nëse duam një gjyqësor funksional dhe besojmë se vettingu është zgjidhja”, tha ajo.
Në shënimin e këtij përvjetori nga zyrtarë të PSD-së po ashtu u tha se kjo parti po fuqizohet dhe këtë po dëshmon edhe rritja e degëve të saj nëpër komuna të vendit, numër ky që sipas tyre, pritet të rritet edhe në të ardhmen.