Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nga viti 2018 do të ndryshojë mbledhja e mbeturinave në kryeqytet.
Sipas Ahmetit, kontratat do të bëhen me Komunë, ndërsa vendet problematike për kontejnerët do të ridizajnohen.
“Nga viti 2018, mbledhja e mbeturinave do të ndryshojë. Kontratat do të bëhen me Komunën, vendet problematike për kontejnerët do të ridizajnohen (p.sh. kabinat në Dardani), do të vendosen kontejnerët në çdo lagje të papërfshirë dhe do të ketë edhe dallim të kontejnerëve për banorë dhe për hapësira komerciale. Kemi marr edhe ndryshimet buxhetore që na lejojnë këtë dhe kemi kaluar rregulloren e re të mbeturinave. Do të ketë orar të ri logjistik të mbledhjes së mbeturinave”, shkruan Ahmeti në Facebook.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2019 do të bëjnë studimin e riciklimit se çka do të bëjnë me mbeturinat.
“Gjatë vitit 2019 do të bëjmë studimin e riciklimit se çka do të bëjmë me mbeturinat tona me besimin se do të fillojmë me waste-to-energy nga viti 2020. Kemi marrëveshjen e nënshkruar me Bankën Evropiane për ndihmë financiare për riciklimin e mbeturinave”, tha ai. /Telegrafi/