Site icon Telegrafi

Ahmeti: Nëse kompanitë publike nuk i kthejnë rrugët në gjendje të mëparshme nuk do t’u japim leje për punime

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për problemin që ka me kompanitë publike si KOSTT, KEDS dhe Ujësjellësi “Prishtina”, pasi pas punimeve që ata kryejnë në rrugët e Prishtinës nuk i kthejnë në gjendjen e mëparshme.

Ai tha se do t’u dërgojnë letër këtyre kompanive duke ua bërë me dije se nëse nuk i kthejnë rrugët në gjendjen e mëparshme, nuk do t’u japin leja për punime në ato rrugë nga Komuna e Prishtinës.

“Do t’u dërgojmë letra kompanive publike KOSTT, KEDS dhe Ujësjellësit ‘Prishtina’ që kryejnë punime dhe nuk e kthejnë në gjendjen e mëparshme ose e kthejnë mirëpo mjaft të dobët. Do ua bëjmë me dije që në të ardhmen nëse nuk do ta kthejnë në gjendjen e mëparshme nuk do t’ju lëshojmë leje”, ka thënë Ahmeti.

Ai po ashtu tregoi se punimet në rrugën “Fehmi Agani” janë në përfundim e sipër, pasi kanë mbetur edhe 10 ditë punë.

“Shumë shpejt do të përfundoj rruga ‘Fehmi Agani’, punimet kanë përfunduar mirëpo tash ka mbetur vetëm asfaltimi. Tash i kanë edhe 10 ditë punë”, theksoi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

E sa i përket qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit dhe nuk bëjnë pagesat e faturave të mbeturinave, ai tha se është formuar një Komision i cili do të pranoj të gjitha ankesat e qytetarëve në lidhje me këtë çështje.

“E kemi filluar këtë reformë për të gjithë. Sigurisht që në këtë reformë ka ankesa dhe do t’i shqyrtojmë ato .Qytetari nëse nuk paguan faturën e mbeturinave nuk mund të marr shërbime nga komuna. Ka filluar të rritet shuma që paguajnë çdo muaj, por do të shohim bilancin se si qëndron”, tha Ahmeti. /Telegrafi/

Exit mobile version