Telegrafi

Ahmeti ndan 100 mijë euro për mediat në Prishtinë, tregon cilat kushte duhet plotësuar

Foto: Arkiv

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se do të ndihmojnë mediat që janë me bazë në Prishtinë, me një fond prej 100 mijë euro.

Ahmeti ka bërë të ditur se mediat do të ndahen në tri kategori, transmeton Telegrafi.

“Shumë media kanë rrezikuar mbylljen për shkak të pandemisë. Mediat që mbahen nga reklamat e bizneseve me humbjen e bizneseve do të mbyllen. Ato të pavarurat më së shumti. Ne si Komunë mendojmë që mediat janë ndër elementet me të rëndësishme të demokracisë. Kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër posaçërisht ato që kritikojnë.

Ne kemi vendosur që mediat me bazë/zyre/lokacion në Prishtinë të ndihmohen me një fond prej 100,000 euro. Nesër bëhet thirrje ku mediat ndahen në tri kategori bazuar në numrin e punëtorëve që kanë nën 8 (tetë) punëtorë, nga 8-50 punëtorë dhe mbi 50 punëtorë”, ka njoftuar Ahmeti.

Tutje ai ka shkruar se “Bazuar në numrin e mediave në Komunën tonë kjo nuk është ndihmë e madhe por mund ti shpëtojë disa mediume që ashtu kështu mezi mbijetojnë”.

Ahmeti ka bërë të ditur se mediat duhet të plotësojnë këto kushte:

• Të jenë të regjistruar ne Komunën e Prishtinës

• Të funksionojnë si media profesionale dhe të jenë të regjistruara në institucionet përkatëse (Komisioni i Pavarur për Media)

• Pasqyrat financiare

• Vërtetimi i pagesës së kontributeve pensionale të punëtorëve

“Komisioni do të ketë shumicën përfaqësues të mediave e jo të Komunës. Ndoshta nuk ka nevojë ta themi, por ndihmën mund ta marrin edhe kritikuesit më të mëdhenj të Komunës. Sic ka thënë Michael Moore kur kishte ndihmuar financiarisht webfaqen më kritikuese ndaj tij që të mos mbyllet – pa juve nuk do të kishte interesim për punën tonë”, ka shkruar Ahmeti.

Theksojmë se para disa ditësh, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim t’i ndihmojë edhe qytetarët e prekur me coronavirus, personat nën moshën 65-vjeçare do të marrin nga 50 euro, ndërsa pensionistët nga 100./Telegrafi/