Site icon Telegrafi

Ahmeti: Murati për pesë minuta mund ta zhbllokoj procesin e ndërtimit të katër shkollave në Prishtinë

Foto: Arkiv

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka rekomanduar ministrit të Financave, Hekuran Murati që të flas me drejtorin e Bankës Botërore në lidhje me ndërtimin e shkollave në katër lagje të Prishtinës.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është bllokuar tash e një vit projekti i ndërtimit të shkollave, për të cilin projekt tha se do të mund të zhbllokohej për pesë minuta nga ministri Murati.

“LDK paska votuar kundër kredisë ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e sistemit social. Hekuran Murati paska me fol me drejtorin e Bankës Botërore në regjion në ora 16 për të parë si të zhbllokohet dhe shpëtohet procesi”, shkruan Ahmeti.

Tutje, ai thotë se “Mirë është në takim ministri Murati me fol edhe për 3+1 shkollat në Prishtinë që i ka bllokuar që 1 vit përkundër faktit që kemi përfunduar krejt edhe nënshkrimin e kontratës”.

“Kjo marrëveshje me IFC/Bankë Botërore do të zhbllokohej për pesë minuta nga Murati duke përcjellë rekomandimet e zyrës së vet ligjore”, shkruan Ahmeti.

“Kemi filluar procesin ne 2017 dhe asnjë ditë se kemi vonuar. Është gjynah me i lënë 4 lagje pa shkollat më të mira në Kosovë (Sofali, Mat, Qendresa dhe Arbëri).  Pra s’ka mbet gjë veç pesë minuta dhe fillon Lopata e parë”, shkruan Ahmeti.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi deputetët e kësaj partie votuan kundër marrëveshjes financiare-ndërkombëtare për reformimin e sistemit të asistencës sociale.

Murati ka deklaruar se nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos votohet një marrëveshje financiare ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Murati kritikon LDK-në pasi votuan kundër marrëveshjes financiare me Bankën Botërore

Ministri ka bërë të ditur se ka caktuar edhe një takim me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport më bashkëpunëtorët tanë, sidomos me Bankën Botërore, megjithatë unë sot kam caktuar një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin, në mënyrë që ta shohim se a mund ta ripërsërisim, apo si të vazhdojmë tutje, për shkak se bëhet fjalë edhe për afate të caktuar kohore të cilat duhet t’i respektojmë”, shtoi ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version