Site icon Telegrafi

Ahmeti për 7 Ditë me Panxhën: Lipjani ka një territor të përshtatshëm për të bërë biznes

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se kjo komunë është në një pozitë strategjike për të bërë biznes.

Ahmeti shprehet se afërsia me Prishtinën dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” janë disa nga përparësitë që ka Lipjani.

“Lipjani ka një territor të përshtatshëm për të bërë biznes. E para afërsia me Prishtinën, me kryeqendrën e vendit tonë e që është konsumuesi më i madh i të mirave materiale. Normalisht që bizneset vendosen më afër Prishtinës së sa të shkojnë diku ku duhet kilometra për të bërë. E dyta është Aeroporti afër, janë kyçjet e autostradës afër”, është shprehur Ahmeti në një intervistë në 7 Ditë me Panxhën.

E për të tërhequr sa më shumë investitorë në këtë qytet, i pari i kësaj komune u shpreh se ata kanë krijuar një klimë të përshtatshme të të bërit biznes.

“Në kemi hequr të gjitha barrierat tarifore dhe administrative, përmes thjeshtëzimit të procedurave. Në kuptimin jo vetëm të regjistrimit por edhe të punëve të tjera të cilat bizneset kanë në administratën komunale. Gjithsesi kemi hequr edhe çdo lloj takse komunale ndaj çdo lloj investitori në Lipjan, duke dashtë me i lanë lirshëm të frymojnë bizneset”, tha ai.

Po ashtu ai ka treguar se në Lipjan aktualisht janë të regjistruara 3,617 biznese, ndërsa vetëm këtë vit janë regjistruar 297 me numrin total të të punësuarve është rreth 11 mijë.

Sa i përket, funksionalitetit të këtyre bizneseve, Ahmeti tha se e bëjnë matjen e funksionalitetit të bizneseve, përcjellin statistikat e të punësuarve ose statistikat e bizneseve fiktive.

Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të matur nga Instituti Riinvest, për tri vite Komuna e Lipjanit ka dalë e para.

“Në fakt asgjë të veçantë nuk ka, përveç të përmbushjes së obligimeve ligjore dhe gatishmërisë së personelit të administratës është ndërtuar një klimë e mirë e investimeve në Lipjan, e kjo besoj që ka pasur efektin e vet në të gjithë indikatorët që ka një matje”, thekson Ahmeti.

Ai në fund ka thënë se të gjitha bizneset në Lipjan kanë bashkëpunim, duke shtuar se ardhja e bizneseve të reja do të ndikon në zvogëlimin e të papunësuarve në këtë komunë.

Exit mobile version