Telegrafi

Ahmeti letër Nimetzit: Erdhi dita të të them u kry

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i dërgoi letër ndërmjetësuesit të Komeve të Bashkuara në kontestin e Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, Matthew Nimetz, ku i shpreh falënderimet për mbështetjen e plotë gjatë gjitha këtyre viteve në drejtim të përfundimit të këtij kontesti të gjatë midis dy fqinjëve.

“Përshëndetje i dashur Met, diku në vitin 2012, një mik i imi i madh amerikan më kishte sugjeruar që të udhëtoj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas dështimit të përpjekjeve të atëhershme për ta përmbyllur kontestin e emrit me Greqinë.

I premtova që sa po t’a përfundojmë betejën zgjedhore për zgjedhjet lokale vitin vijues, do të bëj përpjekje për të udhëtuar përtej oqeanit.

Në fillim të majit, më 2013, arrita në Vashington për një sërë takimesh zyrtare, por edhe me veprimtarë të shquar amerikan në çështjet e Evropës Juglindore.

Bashkëbiseduesit e mi në Departamentin e Shtetit, në Kongres, në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë më thanë që miku im amerikan i kishte porositur ata me këto fjalë: Dëgjojeni Aliun sepse ai ka një hall të madh pasi që ka marrë rrugën për të ardhur gjer këtu. Dhe vërtet më dëgjuan më vëmendje.

Më pas iu drejtova Nju Jorkut për takime me misionet britanike, amerikane dhe franceze në Kombet e Bashkuara, për ta përfunduar vizitën në SHBA me takimin që kisha me ty i dashur Met.

Duke të të inkurajuar për t’i vijuar përpjekjet drejt zgjidhjes, atë ditë të thash që do hysh në histori, që do kujtohesh si njeriu që përmbylli një vatër krize, mundësoi paqen, sigurinë, stabilitetin dhe ardhmërinë e vendit tim.

Ja ku jemi sot, të ngadhënjyer. Të duruar, por të ngadhënjyer. Të përkushtuar ndër vite e stuhi të ndryshme, por i dashur miku im, u bë edhe kjo punë.

Ne jemi takuar shpesh dhe që të dy asnjëherë nuk kemi humbur përkushtimin për ta larguar këtë gurrë të rëndë mbi gjokset tona, këtë litar të shtrënguar fort në qafë që po na mbante peng gati tre dekada” thuhet në letrën e Ali Ahmetit./Telegrafi/