Telegrafi

Ahmeti, larg realizimit të planit ekonomik

Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i duhen edhe shumë vite për të zbatuar në praktikë Planin ekonomik të investimeve dhe punësimit të cilin e ka promovuar gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve lokale në vend.

Të paktën kështu po konsideron opozita që është e përfshirë në legjislativin e Prishtinës. Edhe, shoqëria civile po konsideron që Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore pati premtuar krijimin e kushteve më të përshtatshme për plasimin e produkteve vendore në tregun e Prishtinës, si dhe përkushtimin në tërheqjen e investimeve nga jashtë, por se, kjo nuk ka ndodhur ende.

“Me trendin që është duke shkuar Ahmeti, planin e tij ekonomik që e ka paraqitur, jo që nuk do të mundë ta realizojë deri në fund të mandatit, por nuk do të mundet edhe për 20 vjet. Plani ekonomik nuk është ai që Ahmeti e ka propaganduar në fushatë, por edhe Kuvendi ia vendos miratimin e prioriteteve në bazë të buxhetit. Nëse merret krahasimisht viti 2014, shihet që është shumë dobët. Edhe paralajmërimet e hershme në këtë tremujor nuk japin elemente që do të jetë më mirë. Nëse përpjesëtimisht shihet dallimi në vitit 2013, viti 2014 është 52 për qind më pak në investime kapitale. Pra ka rënie, jo ngritje. Tash në 2015, ende nuk e ka bërë bartjen e mjeteve që kanë tepruar vitin që kaloi që kanë mbetur mbi 20 milionë euro”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Sami Hamiti. /Zëri/Telegrafi/